Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 07:01

Berlin – Trupave gjermane që veprojnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it do të qëndrojnë edhe për një vit, sipas miratimit që bëri dje qeveria gjermane.

Qeveria gjermane ka miratuar të mërkurën një vendim që parashikon zgjatjen e mandatit të trupave gjermane që veprojnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Vendimi në fjalë, që mundëson zgjatjen me një vit të misionit paqeruajtës, duhet të miratohet brenda muajit nga Parlamenti gjerman.

Ushtarët gjermanë që shërbejnë si pjesë e KFOR-it janë 900 nga 5.700 trupa gjithësej, duke përbërë edhe kontigjentin më të madh në Kosovë.

Pak ditë më parë qeveria gjermane, me mbështetjen e Bundestagut, vendosi dërgimin e 550 trupave shtesë në Kosovë, nga të cilat 250 mbërritën më 25 prill.

Trupat në fjalë do të kujdesen për sigurinë gjatë zgjedhjeve legjislative dhe presidenciale të Serbisë, të cilat do të shtrihen edhe në territorin e Kosovës, konkretisht në zonat me shumicë serbe.

Autoritetet gjermane kanë parashikuar se zgjatja e misionit të trupave do t’i kushtojë buxhetit të shtetit të paktën 68 milionë euro. (LajmeShqip.com)