Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 15:40

Tiranë – Rreth 51 maturantët e parë të seksionit dygjuhësh shqiptaro-gjermane kanë kaluar me sukses provimet e Maturës Shtetërore me mesataren 8 në lëndë të testuara në shqip e gjermanisht.

Me këto rezultate këta maturantë janë pranuar në universitetet gjermane pa qenë nevoja të japin provime shtesë.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se “gjuha gjermane dhe pse me numër jo të madh nxënësish, është pjesë e të gjithë sistemit arsimor, duke filluar nga arsimi bazë deri në atë universitar”. Sipas tij, hapi tjetër në kuadër të bashkëpunimit është matura e përbashkët shtetërore shqiptaro- gjermane.

Krijimi i lehtësirave të pranimit në universitetet gjermane është pjesë e projektit të gjuhës gjermane, i cili po zbatohet prej dy vitesh në Shqipëri.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler Holtkemper, tha se “Gjermania zë vendin e tretë përsa i takon mundësive që u jep studentëve të huaj të studiojnë në universitetet e saj”.

Ajo është shprehur optimiste se shumë shpejt do të dyfishohet numri i gjimnazistëve që duan të studiojnë në Gjermani.

Në Tiranë gjuha gjermane mësohet në shkollat 9 vjeçare, “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim De Rada”.

Ndërsa gjimnazi dygjuhësh është “Sami Frashëri”.

Aktualisht në këto shkolla mësojnë 448 nxënës, duke mësuar 5 orë gjuhë gjermane në javë.