Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 10:09

Prishtinë – Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, në takimin dje me kryeparlamentarin kosovar, Jakup Krasniqi, theksoi se Gjermania nuk ka lëkundje në mbështetjen e saj për Kosovën dhe këtë e bazoi në raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se z. Lammert u interesua hollësisht për situatën e përgjithshme në Kosovë, veçanërisht në veri, dhe shprehu gatishmërinë për të qenë edhe më tutje në mbështetje të Kosovës.

Ai u zotua se Gjermania do të vazhdojë edhe më tutje lobimin te pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që ta bëjnë këtë.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, u vlerësua se ato duhet të vazhdojnë, në kuadër të dy shteteve të pavarura e sovrane.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni të Kuvendit, ka filluar sot vizitën zyrtare në Gjermani.