Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 20:08

Tiranë – Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi sot nga Mynihu, Gjermani, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ledio Pogaçe, 35 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Burime zyrtare të Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana bënë të ditur se i ekstraduari Pogaçe në vitin 2004 ka vrarë me armë zjarri, tip pistoletë, shtetasin Gëzim Tafa, në një lokal në qytetin e Fierit, pas një sherri të ndodhur ndërmjet tyre.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Ëiesbadenin, në tetor te vitit 2010, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Ledio Pogaçe

Po sot, njoftuan burimet e mësipërme, është ekstraduar drejt Shqipërisë shtetasi Ilia Bregu, 34 vjec, lindur në Leskovik, Kolonjë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Burimet thanë se i ekstraduari Ilia Bregu akuzohet se në muajt shkurt-mars të vitit 2010, në bashkëpunim dhe me dy shtetas te tjerë, ka mbajtur me qëllim tregtimi një sasi prej 2815 gr lëndë narkotike e tipit heroinë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Ëiesbaden, më datë 27 shtator 2010, në Gjermani, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Ilia Bregu.