Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 18:05

Prishtinë – Gazeta gjermane “Sueddeutsche” transmetoi para pak çastesh se marrëveshja midis KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, në njërën anë, dhe KFOR-it dhe përfaqësuesve serbë, në anën tjetër, pritet të formalizohet në mbrëmje.

Sipas gazetës, që iu referohet burimeve të DPA-së, si kompromis i kësaj zgjidhjeje të përkohshme është arritur që Qeveria e Kosovës të pranojë funksionimin e dy pikave kufitare, pa doganierë dhe pa policë, ashtu siç serbët kanë pranuar dhe janë pajtuar që mallrat serbe nuk do të kalohen si më parë Kosovë.

Kjo marrëveshje është e përkohëshme me qëllim të fitimit të kohës për negociata dhe zgjidhje më afatgjatë, shkruan “Sueddeutsche”.

Marrëveshja parasheh heqjen e të gjitha barrikadave të krijuara nga serbët, veçanërisht atë në Rudarë, në të cilën janë krijuar bllokada masive.

Pikë kryesore e këtij kompromisi është KFOR-i, i cili, së paku deri në mes të shtatorit, do të kontrollojë dy pikat kufitare, atë në Jarinjë G1 dhe atë në Bërnjakë G31.

Ndihmat humanitare do të lejohen në Kosovë vetëm atëherë kur një organizatë e pavarur ndërkombëtare të ketë vlerësuar paraprakisht nevojën. KFOR-i do t’i kontrollojë të gjithë personat dhe automjetet, sidomos për armë.

Gjithashtu është arritur marrëveshje që “kalimet e tepërta” mes Serbisë dhe Kosovës do të kontrollohen. Qeveria e Kosovës frikësohet se edhe politikanët serbë mund të kalojnë pa kontrolla në këto pika kufitare. Qeveria e Kosovës i kishte paralajmëruar negociatorët e Serbisë me arrestim.

Sipas gazetës, të dy palët kanë bërë lëshime në pikat kryesore. Serbët e kanë pranuar ndalimin e importit për artikujt e tyre. Qeveria e Kosovës ka bërë lëshim, duke u pajtuar që të mos vendosen doganierë dhe Policia Kufitare në këto dy pika.

Por, problemi kryesor nuk është zgjidhur me këtë kompromis. Serbët refuzojnë njohjen e vulave të Doganave të Kosovës dhe për këtë i kanë ndaluar të gjitha importet nga Kosova. Qeveria e Kosovës u përgjigj me ndalimin e importit të mallrave serbe.

Qeveria e Kosovës i kishte futur nën kontroll këto dy pika me mjetet e forcës. Ekstremistë serbë u përgjigjen, duke djegur pikën kufitare në Jarinjë. Si reagim, KFOR i mori  të dy pikat kufitare nën kontroll, derisa serbët krijuan barrikada dhe bllokime të rrugëve, thuhet në artikullin e gazetës “Sueddeutsche”. (LajmeShqip.com)