Tiranë-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka anuluar vizitën e tij në Mal të Zi, që ishte parashikuar për sot.
Sipas burimeve nga kryeministria, shkak për anullimin e kësaj vizite u bë gjendja shëndetësore e kryeministrit Berisha, i cili u ndje keq gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e organizuar me rastin e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, të mbajtur dje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Lideri i Partisë Demokratike shfaqi shenja dobësie në podium dhe pati marrje mendsh për pak momente.
Pas ndërprerjes së fjalimit, kryeministri u shoqërua i mbajtur nga bodigardet e tij, duke u zhvendosur në një tjetër ambjent të Pallatit të Kongreseve ku dhe morri asistencën e parë nga mjekët Mentor Petrela, Tritan Shehu dhe Petrit Vasili.
Kryeministri Berisha ka konsumuar më pas një kafe me miqtë e tij dhe u largua i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha drejt apartamentit të tij.
Reagimin e parë për gjendjen e kryeministrit e dha kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli e cila deklaroi se shefi i qeverisë kaloi një gjendje gjysmë të fikti, për shkak të një viroze.
E njëjta gjë u konfirmua më pas edhe nga zyra e shtypit në Kryeministri, ku u sqarua se konsulta mjekësore tregoi paramentra normalë dhe gjendje të stabilizuar të kreut të qeverisë. (LajmeShqip.com)