Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 13:55

Mitrovicë – Një foshnje porsalindur e gjinisë femërore, është gjetur mëngjesin e sotëm pa shenja jete në deponinë e mbeturinave Gërmovë të fshatit Koshtovë të Mitrovicës.
Policia po dyshon se foshnja është braktisur menjëherë pasi ka ardhur në këtë jetë.
Besim Hoti zëdhënës I policisë së Kosovës, thotë se foshnja që është gjetur nga disa dëshmitarët të cilët po mblidhnin kanaqe sot në mëngjes, është gjetur pa shenja jete dhe se nuk dihet saktë se sa kohë ka që trupi I pa jetë I saj ndodhet në ato mbeturina.
“Foshnja është gjetur në kohën kur disa fëmijë ishin në kërkim të gjetjes dhe mbledhjes së metaleve të vjetra, kanë identifikuar foshnjën e braktisur, ndërsa menjëherë kanë intervenuar duke njoftuar dëshmitarin e moshës madhore, i cili ka njoftuar autoritetet policore për rastin në fjalë”, ka thënë Besim Hoti për Express.
Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë konstatuar se foshnja ishte pa shenja jete.
“Në vend të ngjarjes veç njësive patrulluese policore janë përgjigjur edhe hetuesit rajonal të sektorit për hetime të krimeve të rënda së bashku me teknikët e kriminalistikës dhe prokurorin e prokurorisë themelore në Mitrovicë”, ka thënë Hoti.
Ai thotë se akoma nuk dihet se kush e ka braktisur foshnjën dhe e ka lënë aty, megjithëse sqaron se trupi I pajetë tashmë është dërguarnë Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
“Deri në këtë moment, policia nuk ka informacione mbi personin përgjegjës e cila apo i cili e ka braktisur foshnjën ndërsa hetuesit policor janë në pritje të raportit zyrtar të ekspertëve mjekoligjor lidhur me rastin”.