Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 11:14

Një 42-vjeçar është shpallur në kërkim pasi premtonte kontrata pune në Austri, duke marrë nga 800 euro përmes agjencive të transferimit të parave dhe më pas zhdukej.

Policia e Lezhës bën me dije se i shpallur në kërkim është shtetasi me inicialet K. Gj., nga Gjakova e Kosovës, emigrant në Zvicër.

Policia e këtij qyteti informon se më datë 18 gusht 2015, ka nisur procedimi penal nga Sektori për Krimin Ekonomiko-Financiar Lezhë dhe është shpallur në kërkim 42-vjeçari K. Gj

Denoncimi u bë nga tetë persona me banim në Lezhë, të cilëve u kishte premtuar punë në Austri dhe pasi kishte marrë lekët ishte larguar në drejtim të paditur.

“Këta shtetas pretendojnë se në muajin maj të 2015-s, K. Gj., duke iu premtuar kontrata pune në Austri, me anë të mashtrimit, iu ka përvetësuar secilit nga 800 euro të dërguara në adresë të tij, nëpërmjet agjencive të transferimit të parave”, thuhet në njoftimin e policisë. /shekulli/