Lajme Shqip Monday, 17 August 2015 18:01

I është dhënë lamtumira e fundit akademikut Esat Stavileci. U çmua lartë kontributi i tij dhënë shkencave juridike, arsimit dhe fushave tjera, veçanërisht në sferën e administratës publike.

Me homazhe për të nderuar akademikun Esat Stavileci i cili para dy ditësh ndërroi jetë u mbajt ceremonia e përuljes para trupit të pajetë të tij.

Qindra qytetarë të Gjakovës vend në të cilin u lind dhe filloi hapat e parë të dijes nderuan me nga një min heshtje para arkivolit që qëndroi në hollin e pallatit të kulturës.

Zyrtarë të lartë nga mbarë vendi morën pjesë në këtë ceremoni ndarje me akademikun Esat Stavileci qytetar nderi i Gjakovës dhe Intelektual shqiptar i vitit 2009. Kurora me lule vendosën disa delegacione zyrtare.

Humbja e tij si për familjen ashtu edhe për Akademinë dhe studentët është cilësuar si humbje e pakompensueshme.

Vajza e tij Miranda Stavileci nuk mundi të thoshte edhe shumë fjalë. Ajo falënderoi të pranishmit, ata që organizuan këtë ceremoni dhe kërkoi që babai i saj të kujtohet përherë.

“Shpresoj se kujtimi për babin të jetoj gjithmonë por shpresoj se edhe ju përherë ta kujtoni bashkëqytetarin e juaj, shokun e juaj kolegun dhe profesorin e juaj”, tha Miranda.

E para e qytetit të Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, nën patronatin e të cilës u organizua edhe ceremonia lamtumirës, foli për virtytet e profesorit Stavileci.

“E veçanta e kësaj dite nuk mbeti vetëm tek dhimbja e ndarjes fizike të akademik Stavilecit por edhe te krenaria që emri dhe vepra e tij i dhuroi Gjakovës. Përtej të gjitha virtyteve profesori ynë u angazhua që gjdo gjë përreth tij t’i falte drejtësi duke na treguar se e padrejta më e madhe që bëhet shpesh është vet jeta. Jo më kot akademik Stavileci tha: Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira e gjysmën tjetër me pakënaqësi për mospërmbushjen e tyre”, tha Kusari – Lila.

Fjalë të mira dhe kujtime për kolegun pati edhe Minir Dushi. Ai në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve foli për angazhimet e profesorit tashmë të ndjerë Esat Stavilecit.

Ndarja nga jeta e profesorit Stavileci për Dushin ishte mjaftë e vështirë.

“Na ke tubuar këtu para fytyrës sate të zbehtë që të ndahemi gjithmonë nga trupi i yt por jo edhe nga idealet tua humane, njerëzore dhe bujare dhe nga angazhimi për punë e për përparim arsimor dhe kombëtar. I tillë ishte Esati nga shpirti dhe morali. Në këtë ndarje kaq të papritur dhe kaq të rëndë të gjithë e kemi vështirë. Në radhë të parë e kanë të vështir anëtarët e familjes sate… …Në këtë moment e kemi të vështirë dhe tepër rëndë edhe ne miqtë kolegët e bashkëpunëtorët e tij. Gjithmonë të patëm dhe të njohëm energjikë në veprime dhe angazhime. Njeri që i dha shumë duke punuar dhe duke botuar vepra të numërta shkencore dhe duke shkolluar rinin shqiptare”, tha Dushi.

Në këtë akademi foli edhe Ushtrues Detyre i Universitetit të Gjakovës, Hasan Mujaj. Ai foli për virtytet e profesorit të ndjerë, modestinë dhe komunikimin pragmatik dhe interkulturor. Foli po ashtu edhe për sintagmat dhe aforizmat e vlerave të larta edukative që kishte profesor Stavileci dhe nuk harroi të përmend edhe ato që ka lënë pas profesori i ndjerë.

Esat stavileci u lind më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

Studimet e Larta të së Dre jtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Ai u varros sot në Gjakovë.