Lajme Shqip Monday, 17 August 2015 10:58

Nën patronatin e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, sot organizohet ceremoni lamtumirëse për akademikun e ndjerë Esat Stavileci.

Nga ora 14:00, siç edhe njofton komuna e Gjakovës do të mbahet një mbledhje komemorative në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Nga ora 14:30, do të bëhen homazhet dhe nderimet e fundit në hollin e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ndërsa, në ora 17:00, do të bëhet ceremonia e varrimit në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Esat Stavileci u lind më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës.