Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 18:01

Prishtinë – Masat e reciprocitetit vlejnë vetëm për mallrat me Vulat e Doganave të Serbisë, por jo edhe për mallrat me origjinë nga Serbia, që mund të hyjnë nga shtetet tjera fqinje. Për këtë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu i fton afaristët për vetëdijesim dhe që të mos i shfrytëzojnë këto rrugë alternative.

Ekzistojnë paqartësi tek opinioni se me masat e reciprocitetit, a nënkuptohet mos-pranim i mallrave vetëm me Vulat e Doganave të Serbisë, apo mospranim i mallrave me origjinë nga Serbia, pa marrë parasysh nga cilat pika doganore hyjnë ato. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka sqaruar se reciprociteti vlen vetëm për mallra serbe me Vulat e Doganave të Serbisë.

“Edhe sot ka mallra të Kosovës, të cilat eksportohen fillimisht në Maqedoni dhe pastaj ato eksportohen prej Maqedonisë në shtetin serb, në këtë rast as shteti serb nuk mund t’i ndalë ato mallra. Në anën tjetër, edhe nëse një prodhues serb fillimisht i shet ato mallra në Maqedoni dhe pastaj vijnë në Kosovë, atëherë prapë nuk ka ndalesë në origjinë, por ka ndalesë në Vula, pra në atë që edhe Serbia nuk na njeh”, thekson Stavileci.

Sqarim të njëjtë jep edhe zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, Dardana Halimi.

“Vendimi ka përcaktuar shumë qartë se Vulat e Doganave të Serbisë nuk njihen, e jo mallrat me origjinë nga Serbia, për arsye se këtu bëhet fjalë për reciprocitet”, thotë Halimi.

Rezikun se mallrat e Serbisë mund të hyjnë nga shtetet fqinje, qysh dje e ka paralajmëruar edhe kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu. Ai sot ka ftuar afaristët për vetëdijesim.

“Në rend të parë duhet që biznesmenët kosovarë të tregojnë një vetëdije më të lartë për shtet. Nëse e përcjellin shtypin ditor, sot në Kosovë shumë më tepër vuajnë për këto masa biznesmenët kosovarë se sa në Serbi. Kjo është për mua alarmante dhe shqetësuese”, tha Gërxhaliu.

Mallrave që tentohen të hyjnë në këtë mënyrë në Kosovë, do t’iu rritet kostoja, për shkak të ri-eksportit dhe transportit.