Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 17:40

TIRANE- Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Prokuroria e Tiranës ka firmosur 15-urdhër ekzekutime për të akuzuarit e dosjes ‘Gërdeci’.
Prokurori, Petrit Fusho ka firmosur urdhër-ekzekutimet nëpërmjet të cilëve i hapet rrugë arrestimit të dënuarve.

Ndër të tjera, urdhër- ekzekutime janë firmosur për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinari, Luan Hoxhën, Besnik Dautin, etj.

Biznesmeni Mihal Delijorgji tha mbrëmë se ai dhe avokati i tij janë të pakënaqur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit. “Jemi të pakënaqur me vendimin dhe bashkë me avokatin, kemi vendosur të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë sapo të posedojmë vendimin”, tha biznesmeni Mihal Delijorgji mbrëmë, gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama”.

Ai bëri me dije se nga dënimi me 6 vjet e shtatë muaj që dha dje Apeli, i mbeten për të kryer edhe tre muaj burg. Në lidhje me ekzekutimin e kësaj mase nga ana e Policisë, Mihal Delojorgji deklaroi se aktualisht ai është në arrest shtëpie dhe pohoi se në momentin e parë që vendimi i Apelit të zbardhet dhe të dërgohet për ekzekutim, ai është gati për t’u paraqitur në Polici me vullnetin e tij.

Nga të gjithë personat e dënuar nga Gjykata e Apelit, i vetmi që nuk është i pranishëm është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili është larguar jashtë Shqipërisë.(LajmeShqip.com)