Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 17:18

TIRANE  Gjykata e Apelit dha sot vendimin për një nga çështjet më të bujshme në vend, për 29 të akuzuarit e tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Treshja gjykuese, e kryesuar nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime.

Vendimi i formës së prerë, parashikon ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i cili është dënuar përfundimisht me 15 vite burg, nga 18 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar Pinari do të qëndrojë vetëm 10 vite në burg.

Ish-administratori i kompanisë “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori i Fabrikës së Demontimit të armëve, Dritan Minxolli kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3. Edhe për këta dy të pandehur, Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Minxholli dhe Delijorgji ishin dënuar me 10 vjet burg.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka shpallur fajtor gjeneralin Zija Bahja, i cili është ndër të paktët ushtarakë që është dënuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Konkretisht gjenerali Bahja, nga i pafajshëm që ishte shpallur në Gjykatën e Shkallës së Parë, është dënuar me 8 vite burg, por nuk do të qëndrojë në qeli, pasi vendimi për të është pezulluar.

Përsa u përket të pandehurve të tjerë, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Besnik Dauti, të cilët kishin marrë pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë, Apeli vendosi nga 1 vit burg për Babameton dhe Tërshanën dhe 3 vite burg për Dautin, por përkohësisht dënimi ndaj tyre është pezulluar.

Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë ka mbetur në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Konkretisht, Agim Lala i pafajshëm, Ardian Mullai i pafajshëm, Shkëlzen Madani 3 vite burg, Dashnor Caushi 3 vite burg, Armand Tartari 1 vit burg, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha me 6 vite burg. Në fakt Luan Hoxha prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flitet se do të kërkojë azil politik atje.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka vendosur të sekuestrojë pasuritë e Mihal Delijorgjit, të cilat do të kalojnë nën sekuestro dhe ka shumë gjasa në konfiskim dhe nën administrimin e shtetit.

Sa u përket të pandehurve të tjerë, Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, Jorgo Mino, Denis Hajdari, Fari Toska, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Adriatik Mema, Juliana Margariti, Lavdi Shatro dhe Fiqiri Mato, ka mbetur në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.

Në fakt Gjykata e Apelit duhet ta jepte këtë vendim pak ditë më parë, por gjyqtarët kërkuan kohë për shkak të dosjes voluminoze. Vendimi i sotëm është dhënë nën masa të rrepta sigurie,. Në gjykatë është vënë re prania e forcave të rendit dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Të pranishëm në seancë ishin edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008, të cilët kanë reaguar ashpër pas shpalljes së vendimit. Zamira Durda, nëna e vogëlushit Edison Durda që humbi jetën në tragjedi, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar këtë vendim si skandal, pasi ka lehtësuar masën për disa prej të pandehurve.

Prokuroria i kërkoi gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”. Ndërkaq avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pafajësi.

Tragjedia e Gërdecit, më e rënda e ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, u regjistrua më 15 mars 2008. Nga shpërthimi i një fabrike demontimi vetëm pak kilometra larg kryeqytetit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, ndërkaq dëmet materiale kapën shifrat e miliona eurove. 

Vendimet e Gjykates se Shkalles se Pare per te pandehurit e ceshtjes se ‘Gerdeci’
1-Mihal Delijorgji 10 vjet burg
2-Ylli Pinari 18 vjet burg
3-Dritan Minxolli 18 vjet burg
4-Sokol Ngjeci 10 vjet burg
5-Shkëlzen Madani me 3 vjet dhe 3 mln gjobë
6-Luan Hoxha 6 vjet burg
7-Ardian Mullahi i pafajshëm
8- Agim Lala i pafajshëm
9-Dashnor Çaushi 3 vjet burg
10- Hilmi Laçaj 3 vjet burg
11-Gëzim Oshafi 3 vjet burg
12-Jorgo Mino 3 vjet burg
13-Fahri Toska 3 vjet burg
14-Zenun Ferro 3 vjet burg
15-Ndue Marku 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
16-Fatbardh Kuci 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
17- Shpëtim Spahiu 4 vjet burg, pezullohet dënimi për një afat 3 vjecar
18-Hysni Cocka 3 vjet burg
19-Zija Baja i pafajshëm
20- Fiqiret Mato i pafajshëm
21-Agim Babameto i pafajshëm
22-Besnik Dauti i pafajshëm
23-Adriatik Mema i pafajshëm
24-Armand Tartari 1 vit burg
25-Te rishqyrtohet ceshtja ndaj Lavdi Shatros
26- Denis Hajdari 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
27- Juliana Margariti e pafajshme
28- Rezart Tërshana i pafajshëm
29 -Shoqëria AlbaDemil gjobitet me 25 milione lekë dhe ndalohet për 10 vite pjesëmarrja në tendera dhe prokurime publike. Lihet në fuqi sekustroja mbi pasuritë e Mihal Delijorgjit deri në shqyrtimin e padive civile nga Gjykata e Tiranës.(LajmeShqip.com)