Lajme Shqip Friday, 25 October 2013 13:40

Prishtinë- Gazetari Milaim Zeka, nëse asnjëherë më parë, të enjten ia ka parë hairin nënshtetësisë suedeze të cilën e posedon tash e sa vjet. Zeka ka mundur të arrestohet të enjten nga Policia e EULEX-it, për shkak se në emisionin e tij “Pa rrotlla”, ka publikuar emrin dhe fytyrën e një dëshmitari të mbrojtur që është pjesë e një procesi të ndjeshëm gjyqësor.

Personi të cilin gazetari Zeka e ka intervistuar, është njëri nga dëshmitarët e mbrojtur në “Grupin e Drenicës”, në të cilin shtatë ish-komandantë të UÇK-së po akuzohen për krime lufte. Prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro, e ka marrë Zekën të enjten në pyetje duke ia tërhequr seriozisht vërejtjen. Sipas vetë Zekës, prokurori i ka thënë se nëse edhe njëherë e bën një gjë të tillë, do të arrestohet dhe ndaj tij do të iniciohet aktakuzë për shkelje të ligjit.

I kontaktuar nga Tribuna, gazetari Milaim Zeka tregon për takimin me prokurorin Salustro në Prokurorinë Speciale. Sipas Zekës, prokurori i cili ishte mjaft miqësor, i ka thënë Zekës të mos publikojë fytyrat dhe emrat e dëshmitarëve të mbrojtur. Zeka thotë të mos e ketë ditur se dëshmitari në fjalë është i mbrojtur. Gjithashtu Zeka deklaron se i ka thënë prokurorit se ai punon me ligjet e Suedisë, pasi është shtetas suedez./tribuna/