Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 13:37

Prishtinë – Burime mirë të informuara të Portalit LajmeShqip.com, kanë bërë të ditur për një incident potencialisht fatal, në kryeqytetin kosovar, midis dy figurave të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-deputetit Gani Geci dhe kreut të veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli.

Po të aktivizoheshin revolverët e tyre, skandali do të ndodhte në Prishtinë, në afërsi të një restauranti të njohur VIP, “Tiffany”, ditë më parë.

Ish-deputeti Gani Geci, nga radhët e partisë së akademikut Nexhat Daci (LDD), ka nxjerrë revolen pas një konflikti verbal me kreun e veteranëve të UÇK-së, që ndodhi si shkak i mosmarrëveshjeve dhe kundërthënieve të vjetra të kohës së luftës në Kosovë, ka thënë burimi i portalit. Njëjtë dhe me shpejtësi ka vepruar, në anën tjetër edhe Muharrem Xhemajli, por në momentin kritik, nuk janë aktivizuar pistoletat e asnjërit dhe situata ka përfunduar “në paqe”, kë bërë të ditur burimi.

Për evitimin e më të keqes, aty kanë ndërhyrë njerëz të tjerë, që kanë rastisur në rrugë, dhe të cilët i kanë njohur mirë që të dy ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gani Geci, ish-deputet, njihet për përdorimin e armës dhe të forcës si mjet për zgjidhjen e shumë situatave në të cilat ka qenë i përshirë, në të kaluarën. Mbahet mend përfshirja e tij në rrahjen masive në skandalin e ndarjes së LDK-së, në vitin 2006, në kuvendin zgjedhor të kësaj partie. Gjithashtu, Geci ishte i përfshirë edhe në konfliktin fizik, kur si deputet i LDK-së, vite më parë, e kishte grushtuar në Kuvendin e Kosovës, deputetin e PDK-së, Gani Kocin. (LajmeShqip.com)