Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 12:05

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se vendimi i gjykatës për heqjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Limajt dhe të tjerëve në rastin “Kleçka” e ka lehtësuar palën mbrojtëse.

 “Vendimi i gjykatës na ka lehtësuar ne, Fatmir Limajn dhe të tjerët që të përgatisim një mbrojtje dinjitoze. Shpresojmë që në javën e parë të korrikut ky gjykim do të përfundojë”, ka thënë për “Epokën e re” Gashi.

Gashi, ka thënë se vendimi për heqjen e arrestit shtëpiak për Limajn dhe të tjerët ka qenë i pritur.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit është i mirë dhe i pritur nga pala mbrojtëse në rastin ‘Kleçka’, pasi prokurori të mërkurën ka përfunduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuara nga prokuroria. Me përfundimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve është eliminuar edhe rreziku minimal që është përmendur kinse për ndikimin në dëshmitarë”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se i ka ardhur fundi këtij procesi gjyqësor.

Sipas Gashit, prokurori Salustro qysh moti e ka kuptuar se përfundimi i rigjykimit të rastit “Kleçka do të rezultojë sikurse në vitin 2012.

“Maurizo Salustro si prokuror i kësaj çështje e ka ditur qysh në fillim se epilogu i rastit ‘Kleçka’ do të jetë i njëjtë sikurse në maj të vitit 2012. Nuk ka asnjë provë të re në këtë rigjykim. Ai e di se epilogu për Limajn dhe të tjerët do të jetë lirues”, ka thënë Gashi.