Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 10:05

Prishtinë – Xhabir Hamiti, kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, është kandidati i parë i cili ka shfaqur pretendimet për udhëheqjen e BIK-ut, të cilin institucion vazhdon ta udhëheqë myftiu Naim Tërrnava. As ky i fundit nuk i ka fshehur ambiciet edhe për një mandate të ri në krye të Bashkësisë Islame, pavarësisht se Kushtetuta e kësaj të fundit nuk ia lejon një gjë të tillë.

Jozyrtarisht mësohet se për drejtimin e këtij institucioni ekziston një garë e fortë mes klerikëve islamë në vend. Kryesia e Bashkësisë Islame është kritikuar së fundi nga anëtarësia e saj për keqmënaxhim dhe lejimin e radikalizmit islam në Kosovë, raporton Zëri.

Kandidati për ta marr “timonin” e BIK-ut, Xhabir Hamiti, e ka vlerësuar si të domosdoshme, që siç ka thënë ai, gjërat në BIK-së të vendosen në binar të duhur, pasi, sipas tij, kanë devijuar skjashmërisht së fundi, në mungesë të një riorganizimi të brendshëm administrativ, si dhe të një vizioni dhe vije të qartë karshi besimtarëve dhe opinionit në përgjithësi.

Ai ka thënë se reformimi në BIK mund të bëhet me ndihmën e të gjithëve, me vullnet të mirë dhe të sinqertë, duke paralajmëruar udhëheqësin aktuale se e ka përballë atë (Hamitin) në zgjedhjet e këtij viti.

”Kërkesat e shumë punonjësve të BIK-së dhe të besimtarëve të vendit në përgjithësi, çdo ditë e më shumë po rriten që unë të marr në dorë udhëheqjen e BIK-së gjatë mandatit të ardhshëm…”. Ai ka theksuar se feja islame nuk lejon që brenda saj të ketë grupe radikale apo ekstremiste, por lejon vetëm islamin që në themel ka paqen.