Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 20:46

Tiranë – Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mblodhi në një seancë të veçantë në nderim të Holokaustin, Kuvendin e Shqipërisë. Berisha u shpreh se  “ky ishte proçesi më barbar që qytetërimi përendimor ka njohur në tërë shekujt e fundit, gjahut kolektiv ndaj etnisë hebreje në Gjermaninë naziste dhe 21 vendet e pushtuara prej saj. Holokausti është akti më barabar në memorien e qytetërimit. Ai u bazua në doktrinën raciste të nazistëve mbi epërsinë e racës së tyre arjane dhe kërcënimin e kësaj race nga raca të tjera inferiore, në krye të të cilave, sipas çmendurisë së tyre, renditej njëra prej racave më fisnike të njerëzimit, ajo hebreje”.

I ngarkuar me emocione në fjalimin e tij, Berisha i quajti “raca fisnike e njerëzimit, ajo e hebrenjve”. Berisha tha se Holokausti nuk do ishte në ato përmasa nëse kombet e tjera nuk do kishin vepruar si shqiptarët. “Unë pata rastin të vizitoj muzeun e Holokaustit. E para gjë që më vinte ndërmend mua ishte diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke. Holokausti nuk mund të ndodhte në ato përmasa, në qoftë se fqinjët shekullore nuk do ushqenin makinerinë naziste të vdekjes me spiunimet dhe dorëzimet e qenieve të pafajshme,” tha Berisha, që nuk la pa përdorur edhe termin çifut, që shpesh merr edhe konotacion negativ. “I përkisnin etnisë çifute, etnisë që kishte kontribute të mëdha në këtë qytetërim.”

“Ahmet Zogu nuk mbylli dyert për hebrenjtë, i hapi kufijtë dhe konsullatat e tij për të bërë atë që mund të bënte mbreti më i varfër i Europës në shërbim të tyre. Shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj dhe e renditën kombin në krye të shpëtimtarëve. Nuk duhet të harrojmë Holokaustin sepse gjenocidet, krimet kundër njerëzimit dhe spastrime etnike kemi përjetuar edhe pak vite më parë,” tha Berisha.

Kryeministri nuk la pa sulmuar edhe presidentin e Iranit, Ahmedinaxhad, që pati deklaruar se do e zhdukë nga faqja e dheut Izraelin. “Sërish ka shtete që kërcënojnë se do fshijnë nga faqja e dheut Izraelit, por sot një vetëdije tjetër njerëzore,” tha Berisha. (LajmeShqip.com)