Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 13:14

Rreth mesditës së të mërkurës Komisionieri Europian për Zgjerimin prezantoi paketën e zgjerimit dhe progresin e vendeve kandidate për integrimin në BE-së, para anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian.

Duke folur për Shqipërinë, komisioneri Fyle deklaroi se “do të kisha dashur të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga staniacioni politik e bojkoti parlamentar, Pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive. Është urgjente të nisin dialogun e të mbanjnë një nivel bashkëpunimi që lejon progresin në BE”.

Mali i Zi përfiton zyrtarisht nisjen e negociatave

Suksesi i arritur nga Podgorica zyrtare në plotësimin e 7 kushteve të kërkuara nga Bashkimi Europian i ka hapur dyert e nisjes së negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Komisioneri Fyle në vlerësimin e tij u shpreh se Mali i Zi, “ka punuar shumë. Kemi parë progres të vërtetë, duke përfshirë reformat gjyqësore, ligjin e medias, elektoral, antidiskriminimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Propozoj sot të hapen negociatat me Malin e Zi, por duhet të vazhdojë me reformat dhe të konsolidojë progesin”.

Në vlerësimin për Serbinë, Fyle propozoi që këtij vendi, t’i jepet statusi kandidat, por ajo duhet të normalizojë mardhëniet me Kosovën .

Serbia duhet të normalizojë mardhëniet me Kosovën që t’i mundësojë vetes mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Bisedimet do nisin “në momentin kur Serbia të arrijë progres, kur të normalizojë marëdhëniet me Kosovën” – ka nënvizuar më konkretisht komisioneri Fyle.

Fyle tha se BE lidhur me Maqedoninë po shikon hapjen e negociatave më këtë shtet, por natyrisht ka probleme me reformat dhe ka bërë një progres të kufizuar. Sipas Fyles Maqedonia ka probleme me reformat në administratën publike, lirinë e shprehjes dhe korrupsionin.

Fyle tha për Kroacinë se respektohen të drejtat themelore dhe se Kroacia duhet të vazhdojë përgatitjet.

Fyle tha se në Bosnjë disa reforma kanë penguar vendin. “Duhet dialog në sistemin gjyqësor në Bosnjë”, tha Fyle