Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 11:22

Bruksel – Komisioneri Shtefan Fyle sapo rekomandoi dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, por me kusht. Në fjalën e tij në Parlamentin Europian disa minuta më parë Fyle deklaroi se komisioni rekomandon që Këshilli duhet t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit.

Komisioni do t’i raportojë Këshillit sapo të arrihet progresi i duhur.
 
‘Në raportin e tij, – thote Fyle,- Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh angazhimin e shfaqur nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet e këtyre rasteve”.

Pas deklarimit dhe vendimit ne Parlamentin Europian ne Tirane pritet qe ambasadori Sekui t’i dorezoje raportin kryeministrit Berisha.
 
Fyle : Rëndësia e progres-raportit

Para publikimit zyrtar të strategjisë vjetore të zgjerimit dhe raport-progreseve individuale, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle ka dhënë një ditë më parë një mesazh të përgjithshëm për rëndësinë që përmban vlerësimi i vjeshtës i këtij viti.

«Raport-progresi i këtij viti është i rëndësishëm për tre gjëra. Së pari sepse bëhet fjalë për aspiratat legjitime të të gjithë europianëve për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje europiane. Bëhet fjalë gjithashtu për zgjerimin e zonave të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Së dyti, ky raport-progres do të konfirmojë edhe vrullin e zgjerimit, me Kroacinë e cila anëtarësohet shpejt, Serbinë që ka marrë statusin kandidat, dhe Malin i Zi që ka nisur negociatat. Raporti do të jetë gjithashtu për kredibilitetin dhe fuqinë transformuese të BEsë. Dhe pika e tretë dhe shumë e fortë në raport-progresin e këtij viti është fuqia e Bashkimit Europian, për të thelluar integrimin e brendshëm paralelisht me zgjerimin e jashtëm, gjë për të cilën nuk ekzistojnë kontradikta”. (LajmeShqip.com)