Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 19:30

BRUKSEL – Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, u prit sot në një takim nga Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti zhvillimet politike të kohëve të fundit si dhe ecuria e procesit të plotësimit të 12 prioriteteve të KE-së, ishin në qendër të diskutimeve gjatë këtij takimi.

Duke përshëndetur zhvillimet pozitive në Shqipëri, eurokomisioneri Fyle theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të progresit në përmbushjen e 12 prioriteteve të KE-së, veçanërisht ato që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Fyles, rishikimi i sistemit të imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana e tij, ministri Panariti rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në drejtim të plotësimit sa më të shpejtë të reformave kyçe, për të siguruar një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit dhe e vendeve anëtare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Ministri nënvizoi se mazhoranca ka vullnetin maksimal për gjetjen e zgjidhjeve brenda një kohe të shkurtër dhe për përfundimin e reformës parlamentare dhe çështjen e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, me miratimin e së cilës përmbyllim një nga prioritetet më madhore politikë. (LajmeShqip.com)