Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 17:27

Tiranë – Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, deklaroi sot se “pas përfundimit të zgjedhjeve dhe tani që Kolegji Zgjedhor ka përmbyllur misionin e tij, është koha kur forcat politike të vendosen në një dialog dhe sidomos të jenë pjesë e institucionit kyç në demokraci, që është parlamenti”.

Në një deklaratë të përbashkët pas përfundimit të takimit të 3-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së, Fyle shprehu shqetësimin për situatën politike pas zgjedhjeve, ndërsa apeloi për një opozitë konstruktive që të marrë pjesë në plotësimin e reformave të nevojshme për procesin integrues të vendit.

Duke vënë në dukje se pas zgjedhjeve lokale kërkohet një progres stabël, Fyle nënvizoi se “ka pasur polarizim të lartë mbi vendimin e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor rreth vendimeve më të fundit dhe arsyetimit”. Në këtë kontekst ai tha se mënyra e zgjedhjeve duhet të reformohet.

Më tej zyrtari i lartë i BE-së tha se “tani që Kolegji ka përfunduar detyrat është koha që politika t’i kthehet dialogut  për funksionimin e institucioneve dhe parlamentit”.

Sips tij, dialogu duhet të ndiqet në mënyrë progresive dhe pozitive. “Reformat politike dhe kushtetuese në vend duhet të ndiqen njësoj si reformat e tjera, të cilat janë gjithashtu të rëndësishme”, tha Fyle ndërsa shprehu gatishmërinë e BE-së që të lehtësojë këtë proces.

Gjithashtu, ai u shpreh se shqiptarët duhet që të kenë besim tek reformat që do të implementohen.

“Shqipëria mbetet në agjendën e Europës dhe KE-së dhe liderët shqiptarë duhet të tregojnë se janë të interesuar që të punojnë për reformën dhe agjendën e BE-së”, nënvizoi Fyle.

Komisioneri nënvizoi gjithashtu se zgjedhjet tashmë mbaruan dhe ajo që ai pret nga Shqipëria është reflektimi mbi punën për 12 prioritetet.

“Shqiperia t’i kthejë sfidat në mundësi dhe së dyti, pres nevojën për reformën e kornizës ligjore. Këto kanë nevojë për një platformë që pozita dhe opozita të bashkëpunojë dhe për këtë duhet të jetë në parlament”, theksoi Stefan Fyle.

Sipas tij, qeveria dhe opozita duhet të tejkalojnë stanjacionin politik, për të përmbushur aspiratat që kanë për në BE.

“Opozita dhe qeveria të gjejnë një zgjidhje për stanjacionin politik. Kam parasysh aspiratat për BE dhe kornizën ligjore. Duhet të punojnë për institucionet demokratike. Unë besoj se opozita duhet të marrë pjesë në seancat e Parlamentit, shumë ligje kanë nevojë për votat e tyre”, nënvizoi Fyle.

Ndërsa i pyetur lidhur me qendrimin e opozitës shqiptare, Fyle u shpreh se BE nuk e pranon bojkotin. “Duhet të keni një opozitë konstruktive që të marrë pjesë në parlament. Të mos marrësh pjesë nuk është pjesë e BE, bojkoti nuk pranohet nga BE”, tha Fyle.

Në përfundim zyrtari i lartë i BE-së sugjeroi hartimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.