Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 12:50

Fushë Krujë – Kryeministri Sali Berisha theksoi sot se “qytetarët e Fushë Krujës e pritën presidentin amerikan, George Ë. Bush, me ndjenjat më miqësore, si presidentin e një vendi, me të cilin shqiptarët janë më të lidhur se me çdo komb tjetër”.

Në ceremoninë e organizuar për përurimin e vendosjes së bustit të ish- Presidentit amerikan, George Ë. Bush, në qytetin e Fushë Krujës, kreu i qeverisë u shpreh se “mesazhi juaj i dashurisë për SHBA dhe popullin e madh amerikan, shpërtheu më fuqishëm se kurrë, ju përfaqësuat dinjitetin tuaj më të madh për çdo shqiptar, që ndodhet në Shqipëri dhe në botë”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Presidenti Bush erdhi në këtë vend në një ditë të madhe të historisë kombëtare, në ditën e Lidhjes së Prizrenit dhe solli për kombin shqiptar dy mesazhe historike “Shqipëria në NATO ” dhe “Pavarësia e Kosovës”.

“Presidenti Bush dhe administrata e tij do ta shndërronin pak muaj më vonë në realitet Pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Berisha.

Monumenti i ish-presidentit të SHBA, Xhorxh Ë. Bush, vepër e skulptorëve Qazim Kërtusha dhe Ibrahim Reçi, është vendosur në qendër të qytetit të Fushë Krujës dhe është një shenjë respekti dhe nderimi për ish-presidentin amerikan, i cili më 10 qershor të vitit 2007 vizitoi qytezën e vogël, 20 km larg Tiranës.

Gjatë kësaj vizite historike për shqiptarët z. Bush vizitoi disa biznese të ngritura me kreditë e Bankës amerikane, dhe ndaloi më gjatë në bar “Çela”, shumë pranë qendrës. Pritja e ngrohtë në qytetin e Fushë Krujës u bë shumë shpejt proverbiale falë mediave ndërkombëtare, që e ndoqën vizitën e presidentit të SHBA.

Monumenti i derdhur në bronx nga skulptorët durrsakë Kërtusha dhe Reçi ka një lartësi të përgjithshme prej 5 metra. Në bazamentin me pllaka shkruhet “Xhorxh Ë. Bush, mik i madh i shqiptarëve”.

Figura është e plotë dhe me qëndrim përshëndetës në këmbë. Realizimi i saj si dhe studimi i sheshit ku është vendosur monumenti është financuar nga bashkia e qytetit të Fushë Krujës.