Lajme Shqip Sunday, 06 September 2015 20:33

Rreth 17 mijë euro i ndan komuna e Fushë Kosovës çdo muaj për të paguar qiranë për objektin, të cilin e shfrytëzon.

Objekti në të cilin operon komuna është privatizuar. Për ta zgjidhur problemin e objektit, komuna, me financim të Komisionit Evropian, ka nisur ndërtimin e objektit të ri, para 4 vjetëve.

Zyrtarët komunalë të Fushë Kosovës thonë që qiraja është shumë e lartë dhe po e dëmton buxhetin e komunës.

Zëdhënësi i kësaj komune, Ali Topalli shprehet se për këtë i janë drejtuar disa herë edhe Zyrës së Bashkimit Evropian, e cila edhe është financuese e këtij projekti, por asnjëherë s’kanë marrë përgjigje.

Në anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka sqaruar se ndërtimet për objektin e komunës së Fushë Kosovës janë ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjeve me punëkryesin.

Në zyrën e BE-së janë shprehur optimistë se punimet mund të rifillojnë gjatë nëntorit të 2015-ës./KTV/