Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 21:20

Përfaqësuesit e tre fuqive më të mëdha botërore dhe ai i BE-së, sot e kanë kundërshtuar ashpër bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës.

SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania dhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ishin të parët që e dënuan sjelljen parlamentare të opozitës, transmton Telegrafi.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, nëpërmjet një reagimi ka kërkuar nga partitë opozitare që të respektojnë procedurat demokratike.

“Rruga e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik kërkon respektimin e procedurave demokratike dhe bashkëpunimit rajonal, e jo truqet politike”, ka shkruar ambasadori amerikan në Kosovë.

Jo më pak i butë ishte edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, i cili duke iu referuar zhvillimeve në Kuvend, ka kërkuar që të zhvillohet debati, të cilën nuk po e lejojnë partitë opozitare.

“Procesi i dialogut është një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E kuptoj që njerëzit kanë brengat e tyre. Kështu që mendoj se është shumë e rëndësishme që debati të zhvillohet sot në Kuvend, kjo është demokraci në veprim. Tash pres që të dyja palët që t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë. Kjo do të sjellë përfitime praktike për popullin e Kosovës. Dhe do të tregojë se Kosova është partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar diplomati britanik.

Ndërkaq, përfaqësuesi i kancelares Merkel për Ballkanin, Ernst Reichel, përveç që ka reaguar, ai edhe ka sulmuar opozitën për veprimet e saj sot në Kuvend.

“Ata që hodhën vezë në Kuvendin e Kosovës sot, vetëm e kanë përjashtuar veten si bashkëbisedues në parlament. Ata janë të njëjtit njerëz që e akuzonin kryeministrin që nuk po e informonte mjaftueshëm Kuvendin për rezultatet e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë”, ka shkruar Reichel.

Gjithashtu, edhe Bashkimi Evropian, përmes komisionerit të BE-së, Johannes Hahn, dhunën e ka quajtur të papranueshme.

Ai ka thënë se është shumë normale që njerëzit të mos pajtohen për diçka, por është kategorikisht e papranueshme që ky mospajtim të bëhet përmes dhunës, sepse kjo nuk është pranueshme në demokraci.

“Nëse keni opinione të ndryshme është diçka normale fer, por jo të praktikohet dhuna”, ka deklaruar komisioneri Hahn.