Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 18:00

Tiranë –  Prej ditës së sotme, pasaporta e vjetër,  jo biometrike, nuk është më e vlefshme si dokument udhëtimi. Shtetasit shqiptarë, që janë të pajisur me pasaporta jo biometrike, nuk mund t’i përdorin më ato për të udhëtuar jashtë shtetit.

Pak muaj më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që pasaportat e vjetra të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri në datën 1 mars 2012.  Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë shtetasit shqiptarë do të udhëtojnë jashtë shtetit vetëm me pasaporta biometrike.

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri të ditur se në pikat kufitare të vendit asnjë qytetar nuk mund të dalë pa pasaportë biometrike.

Sipas tij,  pasaporta e vjetër është e vlefshme për qytetarët që kërkojnë të rikthehen në vend. Ata mund të përdorin dokumentin e vjetër, i cili është i vlefshëm për të hyrë në Shqipëri.

Sipas ministrisë së Brendshme, në total kanë aplikuar për pasaportat biometrike 2 milionë e 217 mijë qytetarë.