Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 11:00

Tiranë – Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ka uruar qytetarët e Kosovës si dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurt plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet”, thuhet në mesazhin e presidentit Nishani.

Ai më tej tha se përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë, duke u përulur me mirënjohje para veprës së tyre.

Republika e Kosovës, sipas tij, sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë.

“Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar. Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe”, theksoi Nishani.

Nishani tha se qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile. (LajmeShqip.com)

“Ne jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat dhe gëzuar sukseset e së ardhmes, sepse kemi të njëjtin destinacion dhe të njëjtën aspiratë, të bashkohemi në familjen evropiane, ku liria ka dimensionet më të mëdha dhe e ardhmja është më e begatë. Por, gjithçka me punë dhe përkushtim. Ne do t’ia dalim, sepse kemi dëshmuar se dimë të luftojmë, të punojmë dhe të fitojmë”, thuhet në mesazhin e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ndërkohë, edhe Princi Leka, në emër të familjes Mbretërore të Shqipërisë, Familja Mbretërore, ka thënë se avancimi i pavarësisë dhe i shtetit të Kosovës, pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, është një dhuratë e shumë e pritur ndër breza të tërë, në kuadër të festimit të 100 vjetorit pavarësisë së Shqipërisë.

“Sot në këtë ditë historike me rastin e largimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, fillon një epoke e re për Kosovën. Me aktin e heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, kombi shqiptar po e tregon, dhe dëshmon një përkushtimin, pjekuri politike, një përparim të madh që ka bërë në shtet-ndërtimin, dhe plotësimin e standardeve të larta ndërkombëtare. Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare, do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e integrimit gjithë shqiptar apo integrimin e interesave gjithë kombëtare, dhe Evropiane. Këtë ditë duhet ta kujtojmë me krenari për heronjtë kombëtar të rënë ndër breza për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar”, thuhet në mesazhin e Familjes Mbretërore Shqiptare.

Mesazh urimi ka dërguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, e cila ka përshëndetur Deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, të 10 shtatorit 2012, përmes së cilës iu dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe shënoi përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

“Ministria e Punëve të Jashtme përgëzon Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për këtë arritje historike në konsolidimin e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saj demokratike multietnike gjithëpërfshirëse, plotësisht funksionale në të gjithë territorin e vendit”, thuhet mes tjerash në mesazhin e MPJ të Shqipërisë.

MPJ e Shqipërisë shpreh bindjen se udhëheqja politike dhe i tërë populli i Kosovës, të ndërgjegjshëm për sfidat që kanë përpara, do të vazhdojnë të respektojnë dhe zbatojnë me energji parimet e shtetit ligjor, duke u bërë një faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon.

Ky vendim, sipas MPJ-së shqiptare, shënon një hap të rëndësishëm domethënës për të gjithë Ballkanin, për tu ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe hapur kapitullin e mundësive të reja të prosperitetit, bashkëpunimit, paqes dhe integrimit.

Ministria e jashtme e Shqipërisë, me këtë rast, vlerëson angazhimin serioz të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe vullnetin e saj për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, si elementë thelbësorë dhe faktorë të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë.

“Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, Ministria e Punëve të Jashtme siguron për mbështetjen e saj të pakursyer në rrugën e nisur drejt familjes së madhe evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në mesazhin e MPJ-së së Shqipërisë me rastin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Edhe kryeministri Sali Berisha, ka dërguar një mesazh urimi për këtë ditë. Ai, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Tha se sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët pasi që këto dy ditë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po heq mbikëqyrjen mbi pavarësinë e vendit.

“Një arritje historike kjo e qytetarëve të Kosovës në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të tyre. Në ndërtimin dhe konsolidimin e plotë të saj demokracie që po ndërtojnë në përkushtim, vendosmëri të një Kosove të qytetarëve të lirë para ligjit. Kjo përben një ngjarje madhore jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën, por edhe për shqiptarë kudo që janë dhe për popujt e tjerë të rajonit”, tha kryeministri Berisha.(LajmeShqip.com)