Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 13:58

Prishtinë – Deputetët nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje” nuk morën pjesë në seancën solemne me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, të hënën, në Kuvendin e Kosovës. Këtë fakt ata e paralajmëruan përmes një konference për media, dy orë para se të fillonte ceremonia. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, vlerësoi se kjo seancë duhet të bojkotohet meqenëse është farsë dhe organizohet kundër popullit e me paratë e popullit. Sipas Kurtit, në seancën e së hënës deputetët janë ftuar që të duartrokasin dhe të buzëqeshin si spektatorë të privilegjuar duke mos pasur të drejtë të flasin, ndonëse i përfaqësojnë qytetarët. “Këto ditë e sidomos sot, filmi ‘Bac, u kry!’ po shndërrohet në seri. Dikur e kishim ‘Bac, u kry!’ dhe tash e kemi ‘Bac, u kry!’ pjesa e dytë. Prej këtij pushteti kemi gjithnjë e më shumë cirk, sepse kemi gjithnjë e më pak bukë”, ka thënë Kurti.

Plani i Ahtisaarit, sipas Kurtit, jo vetëm që nuk e ka normuar dhe nuk e përmban pavarësinë e plotë, por ai edhe e ka vonuar pavarësimin e vërtetë. Ai ka konsideruar se ky plan nuk ka arritur t’i zgjidhë ato çështje për të cilat u hartua. “Tani po prezantohet përmbyllja e një dështimi të dykahshëm: kurorëzimi i dështimit të Planit të Ahtisaarit në veri me negociata për veriun dhe kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencën e EULEX-it”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në këtë seancë mund të jenë të kënaqur vetëm ata të cilët e përfytyrojnë ende Kosovën “si të paaftë” për të përbrendësuar vlera të vërteta të lirisë, shtetndërtimit, demokracisë, dhe vetëvendosjes.

Kurti ka thënë se është mbyllur vetëm një zyrë dhe se nuk ka asnjë ndryshim në Kosovë. Ai ka vlerësuar se po hiqet mbikëqyrja e “dukshme e jashtme”, për t’u bërë mbikëqyrje e brendshme “që fshihet” brenda vetë ligjeve. “KFOR-i, EULEX-i e bile edhe UNMIK-u janë këtu pa na njohur, pa në dhënë llogari neve, me fuqi ekzekutive mbi neve dhe me imunitet mbi ligjin. Meqë duan ta fillojnë dialogun politik me Serbinë për veriun, e hoqën këtë pengesë juridike të quajtur Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Tash do të mund të shkojnë te Ahtisaari plus”, ka shtuar lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti.

Festën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës Kurti e ka cilësuar si  festë të injektuar, duke thënë se gjilpëra janë mediet e regjimit, kurse shiringa është Ahtisaari.

Ndërsa Visar Ymeri, deputet nga radhët e kësaj lëvizjeje, ka potencuar se amendamentimi i Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator nuk i ka përmirësuar problemet e mëparshme mirëpo, sipas tij, i ka përforcuar ato apo i ka lënë ashtu siç kanë qenë. “Kushtetuta aktuale e Kosovës, e cila u amendamentua tash ka pasur disa probleme thelbësore. Më të veçuarat kanë qenë mohimi i sovranitetit institucional, përmes pranisë së institucioneve ndërkombëtare me pushtet ekzekutiv në njërën anë, dhe në anën tjetër mohimi i barazisë shoqërore e politike mes qytetarëve, përmes krijimit të një sistemi politik e juridik me asimetri kompetencash përbrenda territorit të Kosovës siç kanë qenë komunat me shumicë serbe, siç kanë qenë disa nga monumentet të ritit ortodoks e kështu me radhë”, ka thënë Ymeri.

Kushtetuta,sipas Ymerit, në preambulën e saj ka mbetur ashtu siç ka qenë dhe askund nuk i përmend përpjekjet e popullit shqiptar e as luftën e UÇK-së për ta çliruar Kosovën nga Serbia.

Në rastin e Kushtetutës së Kosovës, Ymeri potencon se Kosova nuk ka të drejtë që t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër, duke shtuar se Kushtetuta e mohon edhe demokracinë e pushtetin ekzekutiv. “Ka qenë e tillë për shkak të pranisë së EULEX-it dhe ICO-s, tash mbetet e tillë për shkak të pranisë së EULEX-it”, ka thënë Ymeri.

Ai ka bërë të ditur se me amendamentimin e Kushtetutës është përforcuar e drejta e vetos që e kanë pakicat kombëtare, që janë 20 sosh.

“Amendamenti i dytë që ka të bëjë me nenin 81, ku flitet për shumicën e dyfishtë të të votuarit për çështje të caktuara në Kuvend, dhe aty më parë ka qenë që për ligjet e interesit vital dhe për amendamentimin e Kushtetutës të kërkohen dy të tretat e deputetëve të pranishëm për votim. Ndërkohë që me amendamentimin e këtij neni janë hequr vendet e rezervuara, kanë mbetur vetëm vendet e garantuara, mirëpo është hequr ‘që janë të pranishëm dhe që votojnë’”, ka sqaruar Ymeri duke thënë se edhe zonat e veçanta të mbrojtura janë ngritur në kategori kushtetuese pas këtij amendamentimi.

Si dy çështje shumë të rëndësishme sa i përket amendamentimit të Kushtetutës, Ymeri i ka cilësuar dy nene, nenin 159, që merret me pronat dhe ndërmarrjet me pronësi shoqërore, si dhe neni 160, që flet për ndërmarrjet me pronësi publike.

Në nenin 159 thuhej, sipas Ymerit, që e tërë prona e ndërmarrjeve shoqërore që gjendet brenda territorit të Kosovës do t’i takojë Kosovës. Ndërsa tash me Kushtetutën e Kosovës, sipas tij, ndërmarrjet që janë ose kanë qenë në pronësi shoqërore brenda territorit të Kosovës nuk janë domosdo të Kosovës.

Ndërsa për nenin 160,  Ymeri ka thënë se flet për ndërmarrjet me pronësi publike dhe me amendamentimin e Kushtetutës ky ligj është hequr. “ Kjo nënkupton se tash Kosova me Kushtetutën e amendamentuar nuk ka ndërmarrje publike. Madje-madje, meqë nuk është më kategori kushtetuese, kjo nënkupton që as nuk ka të drejtë të ketë ndërmarrje publike. E kjo ia hap derën një privatizimi të përshpejtuar të egër, të cilin po e do Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Ymeri.

Këto dy amendamente Ymeri ka konsideruar se do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në fushën ekonomike dhe të ndërmarrjeve shoqërore publike të Kosovës që, sipas tij, deri tash kanë qenë me Kushtetutë të rregulluara më mirë, e tash nuk do të përmenden fare.  (K.N)