Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 18:22

Prishtinë – Marti Ahtisari, Wolfgan Ishinger dhe Frenk Wisner do të jenë në Kosovë në ceremoninë e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Por nuk do të mungojë as ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

Kosova nuk do të jetë nikoqire e vetëm këtyre personalitete të larta të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

KosovaPress ka mësuar thuajse shumicën e emrave që do të jenë rreth datës 10 shtator në Kosovë. Njeriu që publikoi propozimin e tij për statusin e Kosovës, ish presidenti finlandez Marti Ahtisari, do të jetë në Kosovë në ditën e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Mësohet se ai do të jetë në këtë ditë të veçantë për Kosovë jo i vetëm. Përkrahë tij do të jetë edhe ish-ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, ambasadori Wolfgang Ischinger. Po këto burime bëjnë të ditur se edhe ish-ndërmjetësi, ambasadori amerikan Frenk Wisner gjithashtu do të jetë në Kosovë.

Kësaj ceremonie nuk do t’i mungojë as ish presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili edhe pse jo fizikisht, nëpërmjet një videolinku do të mbaj një fjalim. Sa i përket të tjerëve, mësohet se prezentë do të jenë ministrat e Punëve të Jashtme të të gjitha shteteve të rajonit, përveç atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Numri i tyre deri më tani mësohet të jetë rreth 10 ministra.

Ndërsa si mysafirë të Pieter Faith-it do të jenë rreth 30 delegacione me në krye drejtorët për Evropën. (KS)