Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 13:56

Prishtinë  – Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, ka deklaruar se me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk i jepet fund interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, me të shtohet përqendrimi ndaj Kosovës. Pas takimit me kryeministrin, Hashim Thaçi ai ka theksuar se për Kosovën po nis një kapitull i ri me mundësi të rëndësishme, raporton KTV-ja.

Reeker ka theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian, por theksoi se dialogu ndërmjet të dyja vendeve është esencial. “Mezi po pres që të raportoj, ngase nga këtu do të udhëtoj në Bruksel dhe do të vazhdojë të angazhohem për dialogun që na pret atje” ka thënë Reeker.

Ndërsa kryeministri Thaçi deklaroi se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një ngjarje e madhe për popullin e Kosovës. Thaçi foli për sfidat e ardhshme të shtetit të Kosovës, duke i quajtur ato jo të lehta, ndonëse u zotua për angazhimin institucional në përballjen me këto sfida. “Ne diskutuam me ambasadorin Reeker për progresin e arritur në Kosovë, për ngjarjen madhore për qytetarët e vendit, për këtë rrugëtimin të përbashkët për implementimin e plotë të pakos së Marti Atisarit, për përkushtimin tonë për shtirjen e autoritetit në çdo pjesë të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. (LajmeShqip.com)