Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 19:59

Axhenda europiane duhet të shndërrohet në axhendë kombëtare për Shqipërinë, në mënyrë që vendi të avancojë drejt procesit të integrimit në BE.

Kështu ka deklaruar komisioneri europian i zgjerimit Stefan Fule gjatë takimit që zhvilloi sot në Bruksel me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama.

“Për të avancuar në procesin e integrimit është esenciale që të gjitha forcat politike, mazhoranca dhe opozita, si dhe e gjithë shoqëria “të përqafojnë” axhendën europiane”-ka deklaruar Fule.

Në këtë kontekst, sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të KE-së, komisioneri shprehu vlerësimin e tij për rolin e Partisë Socialiste në gatishmërinë për të mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë.

Fule shprehu gjithashtu shpresën që Ministria Shqipëtare për Integrimin Europian bashkë me Komisionin Parlamentar të BE-së të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për hartimin e një plani për implementimin e 12 prioriteteve kyçe, përmbushja e të cilave përbën bazën me të cilën Shqipëria mund të ecë drejt BE-së.

Sipas njoftimit zyrtar, komisioneri Fule dhe lideri i PS-së Rama shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me situatën politike aktuale në Shqipëri.

Fule tha se prêt që marrëdhëniet mes forcave politike të bazohen në respektin ndaj roleve dhe dialogut reciprok për të garantuar zhvillim konstruktive të jetës politike në Shqipëri.

Sipas deklaratës, ky takim u zhvillua në kontekstin e marrëveshjeve më të fundit mes mazhorancës dhe opozitës të cilat kanë nisur punën e përbashkët për reformën elektorale, rishikimin e rregullores së parlamentit si dhe votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.