Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 17:33

Prishtinë -Kosova mund të përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit deri në pranverën e vitit të ardhshëm, ka deklaruar te enjten në Prishtinë, Komisionari për Zgjerim, Stefan Fule.

Këto komente, Fule i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Me këtë rast, Fule ka deklaruar se lansimi i MSA-së për Kosovën ishte një shpërblim i merituar pas punës së madhe që është bërë nga ana e institucioneve të saj.

Fule ka thënë se vendet e BE-së ishin unike kur vendosën që të autorizojnë nisjen e negociatave me Kosovën për MSA-në. Me këtë vendim, sipas tij, Kosova përfundimisht është vendosur në agjendën integruese për në Bashkimin Evropian, dhe tani pas pushimeve verore paralajmëroi se do të ketë shumë punë.

Por, ai është shprehur shumë i bindur që e gjitha mund të përmbyllet deri në pranverën e ardhshme.
Njëherësh, Komisionari i BE-së për Zgjerim, Fule ka lavdëruar edhe pozicionin konstruktiv të Prishtinës zyrtare në bisedimet me Beogradin.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet dhe obligimet që dalin nga negociatat për MSA-në. Po ashtu, ai e ka siguruar zyrtarin e lartë evropian edhe me përkushtimin e Prishtinës për të zbatuar Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun me Beogradin.

Më pas, Fule ka vazhduar për në Kuvendin e Kosovës për një adresim para deputetëve.