Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 12:45

Tiranë – Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, deklaroi të enjten në Kuvendin e Shqipërisë, se e ardhmja e vendit është në BE, por, theksoi ai, kërkohet një përpjekje kombëtare për të përmbushur të gjitha prioritetet e kërkuara.

“Përsëris mesazhin tim, që unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë si një anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Qytetarët shqiptarë e shohin të ardhmen e tyre në BE dhe kjo është themelore për reformat që duhet të kryhen dhe për këtë kërkohet një përpjekje e plotë kombëtare. Qeveria, opozita, institucionet e zbatimit të ligjit, gjyqësori, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, duhet të punojnë së bashku. Ju mund të arrini standarde në jetën politike, standarde këto që duhet të arrihen në një klimë paqeje, pajtimi apo prosperiteti”, deklaroi Fule.

Ai e vuri theksin tek vijimësia e reformave që do të inkurajonin marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

Komisioneri për Zgjerimin renditi katër pikat, që sipas tij, duhet të plotësojë Shqipëria në procesin e integrimit në BE, si përfundimi në kohë i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, zhvillimi i zgjedhjeve me standarde, roli i parlamentit, reforma në gjyqësor, një drejtësi të pavarur nga politika, zgjedhja e një presidenti konsensual dhe në frymën kushtetuese, që të jetë përfaqësues i unitetit të popullit; lufta kundër korrupsionit dhe kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Çështja e sundimit të ligjit është një tjetër kërkesë e BE-së, cila duhet të përmbushet nga Shqipëria në procesin e integrimit. “Një gjyqësor i pavaruar është i rëndësishëm. Duhen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është thelbësore të hidhet dritë plotësisht për ngjarjet e 21 janarit përmes një proces gjyqësor të lirë nga ndërhyrjet politike”, theksoi Fyle. (LajmeShqip.com)