Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 16:30

Prishtinë – Nga marshi tradicional në Holandë, i cili është mbajtur për katër ditë me radhë, në Nijmegen, njësiti i FSK-së, i kryesuar nga major Ali Krasniqi, është kthyer me suksesin më të madh të arritur në një garë ndërkombëtare.
Marshimi ka zgjatur katër ditë, të gjithë garuesit është dashur t’i kalojnë nga 40 kilometra në ditë. Marshimi ka pasur rregullat e veta të rrepta, ku secili ekip është dashur ta kryejë marshimin në kohën e caktuar. Marshimi nuk ka qenë garë shpejtësie, se kush po hyn i pari në cak, por suksesi është matur si ekip komplet që ka hyrë në cak.
Në ditën e fundit, pesë kilometrat e fundit pa arritur në cak, është marshuar në paradë, përmes sheshit kryesor të qytetit Nijmegen, bashkë me rreth 6000 ushtarë pjesëmarrës.
Të gjithë pjesëtarët e Njësitit të FSK-së janë shpërblyer me medalje dhe certifikata në mënyrë individuale dhe me një medalje për ekipin më të mirë të marshimit.
Sipas statistikave të organizatorit, Ekipi i FSK-së ka arritur suksesin më të madh, si ekip, që vetëm një shtet e ka shënuar, në historinë 95-vjeçare të këtij marshimi, ku të gjithë pjesëmarrësit, si ekip, e kalojnë marshimin katërditor.
Me kërkesën e organizatorit, Flamuri i Kosovës është vendosur në platonë e flamujve dhe FSK-ja është ftuar që të marrë pjesë në marshim edhe në vitin e ardhshëm.