Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 18:20

Prishtinë – Në ndërtesën e Qeverisë, sot u mbajt një konferencë e përbashkët mes të Ministrisë së FSK-së dhe KFOR-it, përfaqësuar nga niveli më i lartë i dy delegacioneve, bëhet e ditur në një komunikatë për media të zyrës së shtypit të Ministrisë së FSK-së.

Delegacionin e FSK-së e udhëhoqi ministri Agim Çeku, ndërsa delegacionin e KFOR-it, komandanti i tij, gjenerali Erhard Buhler, i cili falënderoi për organizimin e konferences me moton “Së bashku për progres”.

Tema kryesore ishte bashkëpunimi mes MFSK-së dhe KFOR-it, zhvillimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe plotësimi i Kapaciteteve Operacionale gjatë këtij viti. Të dy delegacionet biseduan edhe për trajnimet e përbashkëta, FSK-KFOR dhe u pajtuan që sivjet të mbajnë takime të përbashkëta, me qëllim bashkëpunimin e mëtejshem dhe të vlerësimit rreth përmbushjes së Kapaciteteve Operacionale.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, e njoftoi delegacionin e KFOR-it, për planin zhvillimor të FSK-së, për vitin 2011. “FSK-ja është e gatshme për fillimin e ushtrimeve të përbashkëta me KFOR-in”, tha ai.

Të dy delegacionet, gjatë konferencës u pajtuan për prioritetet e FSK-së në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali Buhler, gjatë takimit ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për FSK-në në realizimin e objektivave dhe përmbushjen e Kapaciteteve Operacionale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.