Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 15:12

Prishtinë – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Garda Kombëtare e Ajovës filluan zbatimin  praktik  të marrëveshjes për partneritetit. Ministri  i FSK-së, Agim Çeku dhe Gjeneral Lejtënant Sylejman Selimi, pritën dje në ambientet e ministrisë Gjeneral Major, Timothy Orr, Adjutant Gjeneral në Gardën Kombëtare të Ajovas (SHBA) dhe oficerë të tjerë ta lartë nga Ajova.

Ministri Çeku e njohu Gjeneral Major Orr mbi zhvillimet në këtë ministri dhe FSK-së, për arritjet dhe planet e ministrisë për zhvillimin e FSK-së në të ardhmen. Po ashtu, edhe Gjeneral Lejtënant Sylejman Selimi, shpreh kënaqësinë mbi fillimin e suksesshëm të bashkëpunimit të FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe se fushat e bashkëpunimit do të implementohen në tërësi.

Para mediave, ministri Çeku e falënderoi gjeneralin Orr për vizitën, dhe theksoj se ndjehet i lumtur që Garda Kombëtare e Ajovës është përzgjedhur për të ndërtuar partneritet me FSK-në, në shumë fusha bashkëpunimi reciprok, dhe se vizita e Gjeneral Major Timothy Orr po shënon fillimin e implementimit të këtij partneriteti.

Për fillimin e implementimit të bashkëpunimit FSK-Gardë Kombëtare e Ajovës, Gjeneral Major Orr, theksoi se “do të ofrojmë mbështetje që bashkëpunimi ynë të zhvillohet dhe më shpejt, sepse pikërisht sot është ngjarja e parë që shënon fillimin e thellimit të bashkëpunimit”. Gjeneral Orr, po ashtu tha se partneriteti dhe miqësia me Kosovën do të jetë e gjatë.

Bëhet e ditur se fillimi i zbatimit konkret të marrëveshjes së bashkëpunimit startoi nga dje me emërimin e oficerit ndërlidhës nga Garda Kombëtare, në mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili do të qëndroj në MFSK.

Delegacioni i Gardës Kombëtare të Ajovës, pas vizitës në Ministrinë e FSK-së, qëndroi edhe në Komandën e Forcave Tokësore.