Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 10:24

Tiranë– Aleatët e Partisë Socialiste mbeten ende në pritje të ofertave të kryeministrit Edi Rama për poste në nivelet e dyta. Kryeministri ka ende pa vendosur emrat e zëvendësministrave, prefektëve e shumë prej drejtorive kryesore të disa institucioneve kyçe të vendit.
Në bazë të deklaratave të vetë Ramës, aleatët i kanë dërguar atij pretendimet, përmes kërkesave zyrtare.
GSH ka zbardhur kërkesat e një prej tyre, Partisë Kristian Demokrate. Në një letër që kryetari i kësaj partie, Mark Frroku i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, i rendit rreth 14 opsione, prej nga ai duhet të përzgjedhë që të emërojë njerëz të PKD-së.
“I nderuar z.kryeministër! Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese Qeverisë! Meqenëse nuk u pa e arsyeshme futja në qeveri e PKD-së me ministri, sipas pikës së nënshkruar në platformën e përbashkët para 23 qershorit, për a drersye objektive, ne do t’ju sugjeronim disa poste të tjera alternative në nivel zv/ministri, Prefekti, Drejtori të Përgjithshëm, si më poshtë vijon: Prefekt në Qarqet: Tiranë, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Mark Frroku.
Më tej, aty renditen 13 emra drejtorish dhe agjencish: “Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Kompania e sigurimeve INSIG, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Drejtoria e Rrugëve, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtori i Përgjithshëm i QSUT”, janë disa nga drejtoritë që renditen.
Më pas, PKD kërkon, nëse ka mundësi, edhe pjesë nga Inspektorati Shtetëror i Punës, ose Inspektorati i Kontrollit të Ushqimit apo Drejtoria e Përgjithshme e Postave. Kërkesa të tjera janë edhe Drejtoria e Shërbimit të Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoria e Shpërndarjes së Librit Shkollor. Në fund të kërkesës, PKD shprehet se do të paraqesë burime njerëzore të kualifikuara, të përgjegjshëm, korrektë, me reputacion në shoqëri.
Negociata për ndarjen e posteve mes Ramës dhe aleatëve ka pasur, por jo personalisht me kryeministrin, por përmes përfaqësuesve të tij. Tashmë gjithçka pritet të sqarohet pas kthimit të Ramës në Shqipëri, nga vizita e tij në SHBA. Në pritje të emërimit janë edhe zv/ministrat, 6 prej të cilëve janë të LSI-së. Çdo ministri do të ketë nga dy zv/ministra, ndryshe nga më parë kur ka pasur edhe 3 zv/ministra./tema/