Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 13:05

TIRANE- Partia “Fryma e Re Demokratike” i eshte drejtuar me  nje kerkese parlamentit per seance te jashtezakonshme per ish-të përndjekurit politike.

Anetari i FRD-se, deputeti Gazmend Oketa ka reaguar pas tentatives veteflijuese te grevistit Gjergj Ndreca, duke apeluar per nje zgjidhje sa me te shpejte te kerkesave te tyre.

“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politike është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate”-ka thene Oketa.

Me poshte kerkesa e plote

Kërkesë:   Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme parlamentare për grevën e urisë së ish- të përndjekurve dhe ish- të burgosuve politikë

Drejtuar:    Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Partive politike parlamentare

Për dijeni:      Z. Astrit PATOZI  Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Z. Gramoz RUÇI Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Z. Ilir META Kryetar i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Z. Shpëtim IDRIZI Kryetar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Z. Vangjel DULE Kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Z. Fatmir MEDIU Kryetar i Partisë Republikane

Të nderuar kolegë,

Siç jeni në dijeni, prej dy javësh një përfaqësi e ish- të përndjekurve dhe ish- të burgosurve politikë po zhvillon në Tiranë një grevë urie, – forma më e ekstreme e protestës demokratike. Ata provuan që kërkesat e tyre t’i adresojnë në rrugë institucionale, të dialogojnë me qeverinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të tërheqin vëmendjen e parlamentit dhe të opinionit publik, – dhe në konsumim të të gjitha këtyre etapave, vendosën të kalojnë në grevën e urisë.

Akti i tyre human e qytetar përbën një akuzë të madhe për arrogancën, intolerancën dhe sjelljen thellësisht diskriminuese të pushtetit ekzekutiv dhe faktorëve kryesorë politikë në vend. Shteti e shoqëria shqiptare u ka borxhe të mëdha morale, ligjore e financiare atyre grevistëve dhe kolegëve të tjerë të tyre, të cilët me dinjitet dhe kurajë, nën regjimin komunist, luftuan e qëndruan në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë, perëndimit dhe shtetit së të drejtës.

Në kushtet absurde kur një vend anëtar në NATO dhe me aspirate për integrim në BE i detyron qytetarët e tij të vetësakrifikohen për të drejtat e tyre, çdo parti, deputet dhe qytetar që ka respekt për veten, familjen, shtetin dhe interesat madhore të vendit, duhet të ngrejë zërin dhe të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhje. Në demokraci ekzistojnë mekanizma të tillë institucionalë dhe sot Shqipëria ka rastin të tregojë se edhe pse me vonëse, demokracia funksionon.

Mbi këtë bazë parlamenti shqiptar, si institucion përfaqësues, ka detyrimin të ndjekë zbatimin e ligjit dhe të akteve ligjore të miratuara prej tij, përfshirë edhe paketën legjislative për kompensimin e plotë të ish- të përndjekurve politikë. Ky parlament ka miratuar amnistinë kolektive të tyre, ky parlament ka kërkuar falje publike në emër të shtetit shqiptar, ky parlament ka premtuar kompensimin financiar dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri, ky parlament ka bërë fushatë dhe marrë votat e ish- të përndjekurve politikë për t’i përfaqësuar edhe politikisht, ndaj ky parlament ka të gjithë përgjegjësinë dhe detyrimin të mos heshtë, të mos bashkohet me arrogancën vrasëse të qeverisë, por të veprojë pa humbur kohë për të shpëtuar sadopak dinjitetin dhe nderin e humbur shtetëror ndaj grevistëve të urisë, kolegëve, familjarëve dhe mbështetësve të tyre. Konkretisht, me cilësinë e deputetit, qytetarit dhe politikanit po ju drejtohem me një kërkesë publike për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për të debatuar mbi kërkesat dhe rrugëzgjidhjen e problematikës së ish- të përndjekurve politikë.

Për shkak se qeveria në kundërshtim me detyrimin e saj kushtetues refuzoi zbatimin e ligjit, për shkak se qeveria në kundërshtim me moralin e saj të premtuar politik refuzoi dialogun, për shkak se qeveria në kundërshtim me parimet e përfaqësimit vendosi të braktisë përfundimisht ish- të përndjekurit dhe ish- të burgosurit politikë, parlamenti duhet të ndërhyjë për të marrë situatën në dorë, për të zhvilluar një seancë debati, për të vendosur urat e dialogut institucional, për t’i kërkuar qeverisë zbatimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund situatës absurde, kur një qeveri prepotente i detyron qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese.

Ne nuk mund të lejojmë më, që për fajin e atyre që na keqqeverisin, të rrezikojmë rendin kushtetues, jetën qytetare, prestigjin tonë ndërkombëtar si dhe shpresën te demokracia funksionale. Sot është koha që të flasë ndërgjegjia juaj, jo frika nga lista ndërshkuese parlamentare apo sundimtari që kërcënon lirinë e shoqërisë dhe bashkë me të edhe lirinë tuaj. Ndaj, me besim në vlerat e një politike dhe mendësie të re, që sheh përtej interesave politike të ditës, që vendos qytetarin mbi çdo interes pushteti, ju ftoj të mbështesni nismën time dhe së bashku, të rikthejmë sadopak dinjitetin, nderin dhe besimin tek shteti e demokracia shqiptare.(LajmeShqip.com)

Me respekt,

Gazmend Oketa, Deputet

Fryma e Re Demokratike