Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 21:30

Tiranë – Eduard Selami jo vetëm që është pjesë e Frymës së Re Demokratike (FRD)  forca politike më e re e krijuar në vend, e cilësuar në media si partia e Presidentit Topi por në zgjedhjet e vitit 2013 do të jetë një ndër figurat kryesore në betejën për të rrëzuar Kryeministrin Berisha nga pushteti.

Pohimi për Shqiptarja.com ka ardhur nga Aleksandër Biberaj, një nga anëtarët themelues të FRD-së dhe ish-deputet i Partisë Demokratike. “Selami është në FRD me kontribute të forta dhe mbulon dhe marrëdhëniet me SHBA”, tha Biberaj për Shqiptarja.com.

Një rikthim i mundshëm i Selamit në Shqipëri dhe në politikën aktive ka shumë që përflitet që prej krijimit të FRD-së, por mesa duket gjërat kohët e fundit po shkojnë drejt konkretizimit dhe shumë shpejt ish-kreu i Partisë Demokratike që u largua për në SHBA pas mosmarrëveshjeve me Berishën mund të rikthehet në vend.

Nga deklarata e zotit Biberaj kuptohet se aktiviteti i Selamit në FRD tashmë ka filluar dhe është konkret. “Njëherësh ai do të jetë një ndër figurat kryesore në zgjedhjet parlamentare të verës së vitit 2013, dhe me prezencën e tij fizike dhe kontributin real, për të rrëzuar këtë klasë politike të vjetër nga pushteti”, tha Biberaj për Shqiptarja.com.

Eduard Selami ka qenë kryetar i PD nga 1992, kur Berisha u zgjodh President i vendit, deri në vitin 1995. Çarjet e para mes Selamit dhe Berishës ndodhen pas humbjes së referendumit për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994, kur Selami fajësoi qeverinë për mos aprovimin e saj, duke kërkuar unifikimin e postit të kryetarit të PD me atë të Kryeministrtit, që nxirrte jashtë loje ish-kryeministrin Aleksandër Meksi. Kjo solli përplasjet, që shkaktuan dhe shkarkimin e Eduart Selami nga kryetar i PD, me një vendim të shpejtë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, të zhvilluar në pallatin e sportit “Fahrie Hoti”. Madje Selami nuk u lejuar të merrte pjesë as në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që të thoshte fjalën e tij. Pas kësaj ai u largua në SHBA. (LajmeShqip.com)