Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 19:34

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës së tij në Itali është pritur sot nga Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Franco Frattini, i cili e ka siguruar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Sipas burimeve zyrtare të MPJ-së kosovare, në një takim të gjatë, dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e ekonomisë, arsimit, sigurisë dhe kulturës.

Ministri Hoxhaj fillimisht ka falënderuar ministrin italian Frattini për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë dhe në perspektivën evropiane.

“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Italisë janë të shkëlqyeshme. Unë kam ftuar mikun tim që ta vizitojë Republikën e Kosovës dhe të nënshkruajmë disa marrëveshje të bashkëpunimit, të cilat do të stimulojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mes dy popujve”, ka thënë Ministri Hoxhaj, pas takimit, në një konferencë për mediat.

Marrëveshjet që priten të nënshkruhen shumë shpejt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Italisë janë ato për heqjen e taksave të dyfishta, për riatdhesim, për transport, në fushën e sigurisë, për transferim, ekstradim të personave dhe marrëveshjen për promovimin e investimeve. Ministri Hoxhaj po ashtu ka ftuar të gjithë biznesmenët italianë që të investojnë në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini ka mirëpritur ftesën që ia ka bërë Ministri Hoxhaj për ta vizituar Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

“Shumë shpejt bashkë me MPJ-në e Republikës së Kosovës do të organizojmë në dy qytete shumë të mëdha në Itali një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive për investime etj. Unë po ashtu do të kërkoj nga ministrat kolegë në Itali që të përshpejtojnë procedurat, në mënyrë që sa më parë të nënshkruajmë disa marrëveshje shumë të rëndësishme për vendet tona”, ka shtuar Frattini.

Duke folur për perspektivën evropiane të Ballkanit, dy ministrat janë pajtuar që Republika e Kosovës nuk guxon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave. Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Prandaj, sot kam kërkuar ndihmën e Ministrit Frattini dhe të Italisë që të ushtrojnë ndikimin e tyre në BE, në mënyrë që kosovarët të mos mbesin një popull i harruar”, ka shtuar Hoxhaj.

Ndërsa, Ministri italian Franco Frattini ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ai dhe Italia do të jenë avokatë shumë të fuqishëm në BE për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

“Ne do të angazhohemi maksimalisht që edhe Republika e Kosovës të gëzojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, ka paralajmëruar Frattini.

Duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pa shpërbërjen e strukturave paralele ilegale të Serbisë, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.

“Është këndi i vetëm në Evropë, ku prej 12 vitesh nuk ka pasur zgjedhje demokratike, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka pasur numërim të popullatës, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka gjyqësi, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka sundim të ligjit. Kjo duhet të përfundoj. Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale dhe të mos të ndalojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq, dy ministrat po ashtu kanë rënë dakord që marrëveshjet që janë arritur në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë duhet të implementohen.

Ministri italian Frattini ka thënë se dy shtetet duhet të implementojnë këto marrëveshje, që janë zgjidhje evropiane. Edhe Ministri Hoxhaj ka mbështetur se Republika e Kosovës është e përkushtuar që t’i implementojë këto marrëveshje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ministri Hoxhaj gjatë qëndrimit në Itali do të takohet me personalitete të shumta të jetës politike si dhe me diplomatë të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.