Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 21:23

Tiranë – Ambasada e Republikës së Francës në Shqipëri ka bërë pasditen e sotme në Shtëpinë e Ushtarakëve një pritje për të kujtuar festën kombëtare të Republikës së Francës.

Ambasadorja franceze në Shqipëri, Maryse Daviet, theksoi se kjo festë përkujtohet me rastin e lindjes së Republikës në Francës dhe kujtohet si një ditë që simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë nën parimet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.

Ajo ka nënvizuar bashkëpunimin që ekziston mes Francës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme. Daviet ka përshëndetur Rajmond Chateau, si një nga figurat kryesore që ka kontribuar në bashkëpunimin mes kulturës franceze dhe asaj shqiptare.

Në pritjen e ambasadës franceze mernin pjesë Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto si dhe disa ministra të kabinetit qeveritar.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Ëollfarth dhe ambasadorë të vendeve evropiane të akredituar në Shqipëri. Gjithashtu nuk mungonin edhe deputetët e opozitës si Kastriot Islami apo Valentina Leskaj.

Ashtu si çdo vit, 14 korriku i vitit 1789 festohet me entuziazëm të madh nga francezët, të cilët organizojnë që në datën 13 korrik spektakle dhe ballo popullore, duke vazhduar në datë 14 korrik me paradën ushtarake tradicionale në prani të Presidentit të Republikës.

Data14 korrik simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë dhe lidhet me marrjen e kështjellës së Bastijes. Kjo ditë e shënuar për popullin francez u vendos të përkujtohet në vitin 1880.