Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 17:25

Prishtinë – Franca fuqishëm e mbështetë shtetin e ri të Kosovës dhe sovranitetin e vendit, si dhe angazhohet për zhvillimin e saj dhe për rritjen e njohjeve, tha ambasadori francez në Prishtinë, Jean-François Fitou, në një takim me zv/kryeministren Edita Tahiri.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, takimi u përqendrua në rëndësinë  e forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit dhe luftimin e kontrabandës dhe krimit, sidomos në veriun e Kosovës. Në të u vlerësua plani i Ahtisarit si një mundësi e mirë për serbët e veriut në realizimin e  një mirëqenie më të mirë për zhvillim ekonomik.

“Gjatë takimit u fol edhe për perspektivat e politikës se jashtme të Kosovës. Jean-François Fitou, ripërsëriti se Franca, fuqishëm e mbështet shtetin e ri të Kosovës dhe sovranitetin e vendit, si dhe angazhohet për zhvillimin e saj dhe për rritjen e njohjeve”, theksohet në njoftim.

Të dy palët u pajtuan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Francës, dhe u zotuan të vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të bashkëpunuar për Kosovën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.