Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 07:09

Prishtinë – Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga bota demokratike gjatë këtyre tri viteve i ka kontribuar jashtëzakonisht rajonit në uljen e tensioneve, ruajtjen e paqes dhe sigurisë së përgjithshme në rajon dhe më gjërë, ka theksuar sot kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se fuqizimi i bashkëpunimit rajonal është pjesë e axhendës evropiane të Kosovës.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të reflektojë interesimin e Kosovës për zhvillimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe dhënien e ndihmës për realizimin e axhendës së Brukselit për një rajon stabil, demokratik dhe të integruar në BE dhe NATO”, është shprehur kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka pritur një delegacion të senatorëve francezë, të kryesuar nga znj. Marie Therese Bruguiere, z. Jean Francois Humbert dhe z. Jean Pierre Michel.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Francës dhe për tema tjera me interes. Kryeministri Thaçi ka ritheksuar mirënjohjen dhe falenderimet e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për institucionet dhe popullin e Francës për kontributin e dhënë në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Në emër të delegacioni të senatorëve francezë, znj. Marie Therese Bruguiere ka shprehur falëmnderimin për mikpritjen që kryeministri Thaçi ka siguruar për delegacionin dhe ka theksuar se mbështetja e Francës për Kosovën do të vazhdojë me kapacitete edhe më të gjëra, gjithnjë në funksion të perspektivës evropiane për Kosovën.