Lajme Shqip Monday, 07 September 2015 09:24

Dilemave se cilin institucion do ta kenë vend primar të punës profesorët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët njëkohësisht janë edhe mjekë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), pritet t’u jepet fund nëpërmjet një vendimi qeveritar.

Paga që ofron QKUK-ja është dukshëm më e vogël nëse zgjidhet si primare, nga ajo e Universitetit të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.

Në UP një profesor ordinar(mjek) merr pagë mbi 1.400 mijë euro, ndërsa në QKUK një mjek-profesor merr pagë prej afro 800 eurosh.

Dhe kjo ka nxitur debatin se cili duhet konsideruar vend i përhershëm i punës për profesorët mjekë – ai pranë pacientit në QKUK, apo para studentëve në UP.

Për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj tashmë është formuar një komision, i cili përfaqëson shtatë institucione arsimore dhe shëndetësore.

Ndërkaq UP-ja, e cila deri tani ka qenë adresa nga e cila profesorët-mjekë e kanë marrë pagën primare, tashmë ka orientuar pozicionin që do ta mbajë në këtë komision, duke bërë të ditur se nuk dëshiron që ata t’i ketë në listat e pagave të rregullta. Janë dhënë një sërë arsyesh në mbrojtje të këtij qëndrimi.