Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 11:46

Kukës – Ngrohja e motit ka bërë që gjatë këtyre ditëve të rritet dukshëm fluksi i lëvizjes së udhëtarëve në të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë. Tashmë mesatarisht gjatë 24 orëve numri i personave që hyjnë e dalin në të dy anët e kufirit arrin deri në mbi 4000 persona, me 1200-1250 mjete të llojeve të ndryshme, thanë burime nga drejtoria e Policisë e Qarkut.

Ndërkohë, pritet që fluksi i lëvizjes të vijë duke u rritur, gjë që ka bërë që policia kufitare dhe dogana të hartojnë një plan të përbashkët masash për të minimizuar radhët e gjata në doganë. Një ndër to është kontrolli i njëkohshëm i udhëtarëve si nga policia kufitare, ashtu edhe nga dogana, për të minimizuar radhët e  gjata në mjediset e doganës.

Vënia në funksionim të plotë e autostradës Durrës- Kukës -Morin ka rritur ndjeshëm fluksin e lëvizjes mes dy vendeve. Këtë e tregon edhe fakti se gjatë vitit të kaluar në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve janë përpunuar e kontrolluar mbi 822 mijë automjete të llojeve të ndryshme, ndërsa numri i personave që kanë lëvizur në të dy anët e kufirit ka arritur në mbi 2,8 milionë persona.

Parashikohet që ky fluks i lëvizjes në të dy anët e kufirit të vijë në rritje, veçanërisht gjatë periudhës së verës.

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, me gjatësi prej 121 kilometrash, funksionojnë pikat e kalimit kufitar të Morinit (Kukës), Qafë Prushit (Has) dhe Qafë Morinës (Tropojë). Pas konfliktit në Kosovë në rrethin e Kukësit u hapën edhe 3 pika të tjera të kalimit kufitar, në Shishtavec, Orgjost dhe Borje. Por pika kryesore e kalimit kufitar është ajo e Morinit, në rrethin e Kukësit, ku lëvizin mbi 90 për qind e personave dhe e mallrave nga njëri vend në tjetrin.