Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 10:12

Në Budvë, Mal të Zi, në javën e shkuar, u mbajt konferenca kushtuar stabilitetit rajonal. Në këtë konferencë nga Kosova ka marrë pjesë ministrja e saj për Dialog, Edita Tahiri.

Konferenca, sipas medieve malazeze ka rrjedhur në mënyrë normale, por gazeta “Veçernje Novosti” e Beogradit në të ka parë atë që ajo e ka quajtur “skandal të madh e të paparë”.

“Skandali”, sipas kësaj gazete, transmeton Koha.net, ka qenë flamuri i Kosovës i vënë përballë flamurit të Serbisë në një panel në të cilin u gjenden krahas njëra tjetrës, ministrja Tahiri dhe ministrja serbe e ngarkuar për Bashkimin Evropian Jadranka Joksimoviq, me flamujt e vet shtetërorë pranë.

Për këtë rast gazeta serbe ka fajësuar organizatorin, Malin e Zi, ndërsa ministrja serbe ka protestuar për “skandalin”.

Pas “skandalit”, ndërmjet përfaqësueseve të dy shteteve është zhvilluar edhe një dialog i nivelit shtetëror.

Edita Tahiri ka thënë se sipas marrëveshje për bashkëpunim rajonal Kosova ka të drejtë të përdorë të gjitha simbolet shtetërore, ndërsa ministrja serbe i është përgjigjur përfaqësuese së Kosovës se “nuk ke të drejtë ta kesh flamurin pranë dhe mos e keqinterpreto marrëveshjen”.

Gazeta nuk tregon në u hoq flamuri i Kosovës nga takimi por shton se organizatori i ka kërkuar falje delegacionit nga Serbia duke sqaruar se takimin gjoja nuk e kishte organizuar Qeveria e Malit të Zi por sektori joqeveritar ndaj dhe ka ndodhur “skandali”.