Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 16:05

Elbasan – Katër vatra zjarri janë shfaqur në rajonin e Elbasanit dy ditët e fundit, ndërsa situata më problematike për repartin e zjarrëfikëses është zjarri që ka përfshitë masivin pyjor në fshatin Sopot të Komunës Stravaj, në rrethin e Librazhdit.

Burime nga reparti i zjarrëfikëses bëjnë të ditur se “rreth mesditës së të hënës zjarri dhe flakët kanë përfshirë masivin pyjor të zonës së Sopotit, rreth 60 km larg qytetit të Librazhdit”.

Mësohet se kanë qenë vetë banorët e zonës të cilët me mjete primitive janë përpjekur të lokalizojnë dhe shuajnë flakët, por ka qenë e pamundur, pasi zjarri vazhdon të djegë masivin pyjor.

Për shkak të terrenit të thyer malor, mjetet e zjarrëfikëses po hasin vështirësi për shuarjen e flakëve.

Në Qarkun e Elbasanit gjatë kësaj fillim jave rregjistruar disa vatra zjarri. Sipas burimeve zyrtare, nga flakët është shkrumbuar sërish një tjetër sipërfaqe me ullinj në periferi të qytetit të Elbasanit në zonën veripërëndimore të tij pranë lagjes N.SH.U.

Gjithashtu, disa vatra zjarri janë shfaqur në masive shkurresh dhe barishtesh në zonat periferike dhe përgjatë rrugës kombëtare por pa shkaktuar dëme të konsiderushme. Gjatë kësaj vere në qarkun e Elbasanit zjarret që kanë shkaktuar dëmet më të mëdha janë ato që përfshinë godinën e Teatrit “Skampa”, si dhe pemtoret e ullishtat në Peqin e Elbasan.