Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 12:22

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi dhe njëherë nga secili ministër të adresojnë menjëherë prioritet që janë evidentuar në raportin e Komisionit Evropian për Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar menjëherë prioritetet afatshkurtra që duhet të realizojë, ashtu siç është kërkuar në raportin e Studimit të Fizibilitetit. Në takimin e trembëdhjetë të Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, kryeministri Hashim Thaçi, veçoi si më të rëndësishme, sundimin e ligjit.

“Ftoj me përkushtimin më të madh organet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit që të demonstrojnë përkushtim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete për të vazhduar luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe të gjitha dukurive negative. Në këtë drejtim ofroj mbështetjen time të plotë me gjithë autoritetin tim kushtetues dhe ligjor”.

Ai kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar që t’i kryejnë obligimet në afatin optimal. Ndërkaq, ministrja e integrimit Vlora Çitaku tha se në bashkëpunim me EULEX-in do të formohet një grup që do të monitorojë punën e secilës ministri për përmbushjen e kritereve. Citaku pret që në fund të dhjetorit të miratohet plani për studimin e fizibilitetit.

Ndërsa kryeministri Thaçi tha se politika evropiane e Qeverisë së Kosovës do të bazohet në tri shtylla kryesore: Plotësimin në afta rekord të kritereve teknike për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit, vazhdimin e reformave kyçe evropiane të parapara me studimin e fizibilitetit dhe themelimin e strukturave për negocimin me bashkimin evropian .(LajmeShqip.com)