Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 13:47

PRISHTINË -Kosova ngec në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit rreth Studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), në një konferencë shtypi.

Sipas KDI-së, Studimi i Fizibilitetit i publikuar tre ditë më parë nga Komisioni Evropian thekson shumë qartë se, “Kosova ka nevojë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit, ndërsa vendin e presin sfida dhe detyra të shumta”.

KDI ka theksuar se studimi i fizibilitetit duhet të lexohet drejt dhe jo për t’u mbyllur sytë qytetarëve duke iu thënë se është ndezur drita e gjelbër për proçeset integruese.

“Për ne, ky studim dhe porosia për ta luftuar korrupsionin do të thotë se na presin detyra jo të lehta, të cilat do të jenë shumë të vështira për t’u realizuar, për shkak të involvimit të vetë politikanëve në afera korruptive”, tha Merita Mustafa nga KDI.

Sipas saj, sot më shumë se kurrë, Kosova ka evidencë të raporteve kredibile, vendore dhe ndërkombëtare në të cilat përshkruhet si një vend me prani të madhe të krimit të organizuar , të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit ekonomik.

KDI thekson se, për shkak se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është porosi e qartë nga Komisioni Evropian dhe pengesë kryesore për zhvillimin e vendit, ajo duhet të jetë prioritet i Qeverisë, e cila për të pasur sukses do të duhej të ndërmerrte një listë veprimesh, nën një të krijojë një strategji të re dhe plan të ri kundër korrupsionit.(LajmeShqip.com)