Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 18:13

Prishtinë – Nuk duhet pritur që EULEX-i të zbatojë vendimet e Qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës ka marrë në duart e veta përgjegjësinë që i takon, prandaj ne duhet ta respektojmë na pëlqeu ose jo. Kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin, ambasadori francez, Jean-Francois Fitou.

“Ky vendim ka krijuar një situatë të re dhe ne duhet të jetojmë me këtë situatë të re përderisa t’i njoftojmë të gjithë që tani është e rëndësishme të ruhet qetësia”, ka thënë Fitou.

Në shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare, veriu i Kosovës është përmendur si çerdhe e krimit të organizuar, ndërsa Fitoi ka thënë se situata e re e mbush me shpresë që gjërat do të ndryshojnë për të mirë.

“Shpresoj shumë se krimi i organizuar nuk do të importohet apo eksportohet nga Kosova në këtë situatë të re. E nëse këto fenomene të trafikimit do të ndalen me situatën e re, kjo do të ishte gjëja më e mirë e mundshme”, ka deklaruar ai.

Ai ka sugjeruar EULEX-in dhe Qeverinë e Kosovës që të ulën dhe të bisedojnë për të gjetur mënyra se si të implementojnë vendimet e Qeverisë.